Bëhen me dije detaje të reja nga tentativa e vrasjes në burgun e Peqinit. Bledar Selmanaj, personi i dyshuar për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljano Bullari, ka tentuar të vetëvaret në ambientet ku po vuan dënimin.
Por për fat të mirë, ai është pikasur nga gardianët e burgut, që e kanë dërguar më pas në infermieri, nga ku raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Selmanaj ka pretenduar se nuk e ka kryer ai vrasjen, por ka pranuar se ishte ai që e ka nxjerrë në pritë 25-vjeçarin Bullari. Sipas tij, vrasjen e kanë kryer persona të tjerë me precedent të theksuar kriminal në qytetin e Vlorës.
“Ka pasur një tentativë për vetëvrasje në burgun e Peqinit. Autori i dyshuar i vrasjes së Xhuljano Bullarit, ka tentuar të varë veten në burg, por është parandaluar ky akt nga gardianët, të cilët e kanë çuar në ambientet e infermierisë. Nga informacionet paraprake, rezulton që ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Selmanaj ka pak ditë që ka shkuar në ambientet e paraburgimit të Peqinit. Kujtojmë që janë dashur 4 ditë që policia të zbardhë dinamikën. Nga informacionet e siguruara, dyshohet se duke qenë se kishin njohje të mëparshme, ata kanë negociuar me njëri-tjetrin, për të bërë lidhje mes dy grupeve kriminale për tregtinë e hashashit. Por kjo gjë nuk ka shkuar siç duhet dhe prandaj ka ndodhur atentati. Selmanaj thotë se nuk është ai ekzekutori, por thotë se ai vetëm e ka nxjerrë në pritë djalin, ndërsa si autor ai thotë se janë persona me precedent të theksuar penale në Vlorë”.
SI U ZBULUA VRASJA E XHULJANO BULLARIT:
Pas hetimeve nga ana e grupit hetimor, pasi u mor aparati celular i 25-vjeçarit, nga ku u nxorën edhe kontaktet, policia bëri një listë me miqtë e familjarët e viktimës. Menjëherë lindën dyshimet se vrasësi ishte i njohur me Bullarin dhe rezultoi se Bledar Selmanaj ishte pasagjer në automjetin e drejtuar nga 25-vjeçari, madje kishin udhëtuar bashkë.
Për motive të dobëta, 39-vjeçari e qëlloi në kokë të riun natën e 20 gushtit duke e lënë të vrarë brenda në makinë, ndërsa trupi i tij u gjet mëngjesin e 21 gushtit. Fill pas krimit, Selmanaj e groposi armën e vrasjes teksa kishte fshehur dhe veshjet që përdori ditën e atentatit.
Selmanaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Vite më parë ai ka qenë i akuzuar për disa vjedhje argjendarish e banesash në Tiranë. Duke kryer disa vjedhje seri ai është etiketuar edhe si hajduti ‘serial’ në kryeqytet. Policia thotë se Bullari dhe Selmanaj njiheshin me njëri-tjetrin dhe se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta.
Discussion about this post