Kryeministri nuk heq dorë nga 600 milionë Euro PPP të tjera/ Në kapitalizëm janë dhe SHBA, Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Austria krejt BE, por kur tregtarët atje shtojnë çmimet me 0.1 cent abuzim, shteti ndërhyn e vepron me mekanizmat që ka, si heqja e licencave, gjobat 10-20% të xhiros vjetore e masa të tjera; ligj që është në fuqi dhe në Shqipëri por nuk zbatohet, mbasi kryeministri ynë “ha në një çanak” me oligarkët, monopolistët e kontrabandistët, të cilëve përveç terrenit abuziv në treg, u dhuron dhe miliona Euro fonde
Ditën martë, kryeministri Rama bashkë me ministreshën Balluku në krahë, të gjendur përballë reagimit të qytetarëve, dhanë konferencë shtypi justifikuese, lidhur me rritjen e çmimit të karburanteve që po e vuajmë dhe me çmimet e energjisë e produkteve të tjera, duke u hequr si “shpëtimtar që po sakrifikon buxhetin e shtetit”… sikur e ka buxhetin e tij personal.
Kryeministri, përmendi “mrekullitë” që ka bërë për popullin me heqje taksash, por nuk tha asnjë fjalë për situatën e rëndë social-ekonomike ku ndodhen familjet shqiptare, sidomos dy muajt e fundit për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, që kanë zhvlerësuar me 50% aftësinë blerëse të pagave dhe pensioneve të ulëta e të mesme.
Ai deklaroi, se qeveria nuk do ndërhyjë për t’i mbajtur çmimet nën kontroll, paçka se qeveria i ka gjithë mekanizmat ligjor dhe e ka detyrim Kushtetues, t’i rregullojë me masa goditëse, por ka lejuar terren të lirë për spekulim me krijim bandash oligopole.
Po i kujtojmë Aktin Normativ në muajin dhjetor 2019 pas tërmetit, me të cilin, Edi Rama detyroi pronarët e banesave, të mos rrisnin çmimet e qirave të apartamenteve për familjet e pastreha, se ndryshe do përballeshin penalisht me akuzën: “Spekulim në situatë emergjence”.
Edhe tani, është situatë çmimesh abuzive nën maskën e luftës në Ukrainë, por vetë kryeministri Rama, në konferencën e shtypit nxiti rritjen e çmimeve të karburanteve, energjisë e çdo produkti tjetër në treg, madje kërcënoi se do mbetemi pa energji.
Ai deklaroi se qeveria nuk do ndërhyjë për të rregulluar raportet treg-konsumatorë-biznes, duke i lënë shteg të hapur, pasojës së krizës ekonomike të bukës së gojës e mbijetesës, që është reagim kaotik me përmasa të rënda për shoqërinë dhe ekonominë.
Kryeministri thotë, se jemi në kapitalizëm e çmimet nuk i vendos qeveria, por kërkesë-oferta. Mirëpo këtë mund ta thotë vetëm një i shtetar anormal, ose i përfshirë si pjesë përfituese me mafien e çmimeve, importeve, monopoleve e oligopoleve, si psh., te mielli dhe ushqimet.
Sepse në rastin konkret, nuk bëhet fjalë për bankete, makina, veshje e vila luksi dhe për udhëtime me çartera e konkubina, por bëhet fjalë për bukën e gojës së popullatës; për të cilën ka kërkesë jetike ditore, ndërsa tregu ka fiksuar oferta me çmime të imponuara, sepse e di që buka, qumështi, për fëmijët, detergjentet etj., do t’i blihen.
Vetë Ukraina është në luftë dhe vendet në kufi më të që po shërbejnë si zona humanitare, por çmimet janë në nivelin e para nisjes së sulmit rus, ndërsa kryeministri ynë që njihet për pazaret me oligarkët, del e thotë se “jemi në luftë e në kapitalizëm”.
Në kapitalizëm janë dhe SHBA, Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Austria dhe krejt vendet e BE, por kur tregtarët atje, shtojnë çmimet qoftë dhe me 0.1 cent abuzim, qeveria ndërhyn e vepron me mekanizmat që ka, si heqja e licencave, gjobat në vlerë 10-20% të xhiros vjetore etj.
Ky ligj ndëshkimesh, është në fuqi dhe në Shqipëri, por nuk zbatohet, mbasi kryeministri ynë “ha në një çanak” me oligarkët, monopolistët e kontrabandistët, të cilëve përveç terrenit abuziv në treg, u dhuron dhe miliona Euro fonde shteti me PPP, tendera, toka, troje, licenca e objekte.
Ndërsa në krye të institucioneve ligj-zbatuese si Banka e Shtetit, Ministria e Financave, doganat, tatimet, Autoriteti Konkurrencës, Autoriteti Mbikëqyrjes së Tregut dhe Drejtoria e Standarde-Çmimeve, Rama ka vendosur pazarxhinjtë e tij.
Psh., qeveria i merr popullit taksa të shumta dhe të larta direkte e indirekte, madje dhe taksa hajdutësh siç është “Taksa e Televizorit”, madje dhe “Taska Arsimit” që ka vendosur Erion Veliaj, por popullit nuk i rimburson rritjen e çmimeve.
Ndërkohë që këto taksa, kryeministri ua jep miqve të tij për PPP fantazma, me vlera mbi 100 milionë Euro, me vlerë totale afro 2 miliardë Euro në 8 vite, ndërsa sipas afateve të kontratave, këto vjedhje do t’i paguajnë shqiptarët për 30-40 vitet në vazhdim.
Sipas raporteve të KLSH dhe Bankës Botërore e FMN, në 8 vite pushtet të Edi Ramës, buxhetit të shtetit i janë vjedhur 5 miliardë Euro nëpërmjet korrupsionit, ndërkohë që 1.1 miliardë Euro janë abuzime për luks zyrash, udhëtime, punësime tepër në administratë, kongrese partie, bankete e qeverie, shpërblime për OJF e media të lidhura me pushtetin.
Sipas eksperteve, këto 6 miliardë Euro të zhdukura me PPP, koncesione e korrupsion, do ishin një rezervë e plotë rimbursimi çmimesh tregu, për 4 vite krizë “lufte” si kjo që ka nisur, por kryeministri ynë “sheik” e kapur nga mafia nuk e ndal.
Sepse këto miliarda e të tjera në vazhdim siç deklaroi Rama, u janë dhënë e do t;u jepen oligarkëve, por dhe janë vjedhur nga qeveritarët, me mendësinë e hajdutit: “Të mbush xhepat për vete, pas meje e për të tjerët le të bëhet qameti”
Discussion about this post