Edhe për katër vite me radhë shqiptarët do të konsumojnë të njëjtën gjellë, të ftohur e të ngrohur disa herë. Ndryshimet e emrave të qeverisë, që Rama shpalli sot, dhe lëvizjet në hierarkinë e opozitës që Basha prezantoi pak ditë më parë, nuk premtojnë asnjë ndryshim thelbësor në sezonin e ri politik. Disa figura mund të jenë të ndryshme, por filozofia mbetet po ajo: ne do të shohim të njëjtën shumicë që bën sikur qeveris në emër të njerëzve dhe të njëjtën opozitë që bën sikur lufton me sistemin e kapur kleptokrato- oligarkik.
Ndonëse largimet e Etilda Gjonajt nga Drejtësia (aq më tepër e zëvendësuar nga Ulsi Manja) dhe Anila Denajt nga Financa mund të përbëjnë surprizë, ndonëse Bilali dhe Muzhiqi katapultohen si emra fare të panjohur për publikun, qeveria e re e Rilindjes mbetet sërish skuadra e lakejve të një lideri autoktat. Ai mund të bëjë ç’të dojë me Blendi Klosin, që nuk i fal vrasjet për shezlonët e Velipojës dhe po ashtu me Damian Gjiknurin që e ka amnistuar për unazën e re, apo me Lindita Nikollën që ia ka falur faktin që i dolën në rrugë studentët. Edhe njëherë, qeveria e re Rama tregon se nuk është fryt i një mendimi dhe vullneti kolegjial, por vetëm kapriço dhe tekë e një njeriu të vetëm.
Në këtë kuptim nuk ndryshon aspak, as filozofia e kundërshtarëve që ka përballë. Ndonëse Basha ngriti në majë të piramidës partiake një grua të pastër si Jorida Tabaku, ndonëse ai i dha frenat e grupit parlamentar një juristi të sprovuar si Alfred Rushaj, të gjitha ndryshimet e fundit në PD mbeten zgjedhje krejtësisht personale dhe voluntariste të kryetarit që e çon forcën e tij nga humbja në humbje. Çdo ngritje apo spostim i fundit në PD, madje të gjitha të marra së toku, nuk e kanë forcën e tërmetit që shkaktoi Mark Marku dhe njollën që ai i la imazhit publik të partisë më të madhe të opozitës.
Por, mbi të gjitha, e rëndësishme është se katërvjeçari i ri opozitar do të dominohet nga e njëjta qasje e squllët, me mungesë parimesh dhe me flirtime okulte, po ashtu si paraardhësit. Deviza e Ajnshtajnit, për çmendurinë e të përsëriturit të së njëjtës gjë duke pritur një fund të ndryshëm, është ajo që i shkon më së miri kësaj opozite. Dihet që tani se ajo është e pazonja të ndalë Ramën në mbajtjen e pushtetit të uzurpuar dhe për më tepër të mbrojë shqiptarët nga abuzimet e tij.
Discussion about this post