“Lulzim Basha ka përjashtuar Berishën për shkak të dosjes që ka në Amerikë dhe jo për korrupsion.”– kështu është shprehur aktivistja Evi Kokalari nga “Foltorja” e Berishës në Durrës. Sipas Kokalarit, kreu i Partisë Demokratike loboi me para ruse në SHBA, për këtë arsye i’u hoq e drejta e vizës për në Amerikë për rreth 2-3 vite. Megjithatë, marrëveshja me njerëzit e Soros- thotë Kokalari- i ktheu atij të drejtën për të vizituar SHBA-në, me kusht që të përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.
Në kundërpërgjigje të këtyre akuzave, zyra e shtypit të Partisë Demokratike ka paralajmëruar se ditën e nesërme do të ngrenë padi për shpifje ndaj aktivistes. Duke e cilësuar Kokalarin spekulante politike, PD thekson se riciklimi i shpifjeve të Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike, do të ndiqet penalisht.
“Një spekulante politike, Evi Kokalari, guxoi sot të përsëriste përpara shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha. Autoritetet përgjegjëse me kërkesë të vetë Partisë Demokratike hetuan për 2 vite lidhur me shpifjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke provuar në mënyrë ligjore dhe përfundimtare se ato ishin vetëm shpifje.
Ricikimi i të njëjtave shpifje, bëhet për të njëjtin qëllim, atë të mbajtjes në këmbë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të padisë nesër penalisht për shpifje znj. Evi Kokalari, e cila mund të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzat e rreme me dëshmitarët e saj të rremë Edi Ramën dhe Taulant Ballën.”- deklaron PD.
“Lulzim Basha e ka përjashtuar Berishën për shkak të dosjes që ka në Amerikë dhe jo për korrupsion. Disa mendojnë se po i rri zotit Berisha për tu bërë kryetare e PD-së, por duhet shumë mund që të më sillni mua në Shqipëri. Nuk ka nevojë të më bëni mua kryetare të PD-së pasi ne e kemi kryetarin e Partisë Demokratike, ai është zoti Sali Berisha. Unë dua të flas pak për dosjen e Lulzim Bashës që ka ekzistuar në Amerikë. Këtu është pika ku Lulzim Basha u ngatërrua me veten sepse nuk kishte pse të fshihnte fondet që sillte për të lobuar. Brenda 3-4 muaj PD ka paguar 750 mijë dollarë për të lobuar në Amerikë. Një kompani ruse bëri kontratë me një kompani në Amerikë sikur po investoheshin para nga Shqipëria. Lulzim Bashës iu hoq e drejta e vizës për dy-tre vjet. Më pas kjo dosje u mbyll me kushtin që të hiqej Berisha nga grupi parlamentar i PD-së. unë do shkoj në Amerikë dhe do të kontrolloj nëse Basha mund të futet në SHBA dhe të marrë vizë, kështu ne do e bëjmë problem dhe do e çojmë në Kongres. Me pak fjalë Lulzim Basha nuk mundi të shpëtojë veten por i hapi gropën vetes.”– deklaroi më herët Kokalari.
Discussion about this post