Policia Rrugore në Elbasan është angazhuar në operacion me dronë dhe radarë në rrugët kryesore të këtij qyteti, për të identifikuar shkelësit e kodit rrugor dhe ndëshkuar ata.
Kontrolle me dronë dhe radarë u zhvilluan në rrugën nacionale Elbasan – Librazhd, Elbasan – Cërrik dhe Elbasan-Tiranë. Gjatë kontrollit në rrugën që lidh Elbasanin me Tiranën, policia thotë se ka konstatuar drejtues mjetesh me shpejtësi deri në 224 kilometra në orë dhe në orar të pikut të trafikut.
Si rezultat janë tërhequr 10 leje drejtimi për shpejtësi tej normës së lejuar. Drejtuesi i mjetit tip Audi, shtetasi A.S., nga Tirana është konstatuar me shpejtësi 224 km/h, i cili u ndëshkua me masë administrative 15.000 lekë të rinj, 6 muaj pezullim të lejes së drejtimit dhe zbritje të pikëve nga leja e drejtimit.
Shtetasi E.H, rezident në Itali u konstatua me 174 km/h, i cili u ndëshkua me masë administrative 40.000 lekë të rinj. Gjithashtu janë vendosur 29 masa administrative për shpejtësi dhe manovra në rrugë, si dhe janë vendosur 3 masa administrative maksimale me vlerë 40.000 lekë të rinj pasi drejtuesit e mjeteve ishin shtetas të huaj.
Kontrollet kanë vijuar edhe me dron në rrugën nacionale Elbasan – Librazhd, dhe Elbasan – Cërrik ku janë evidentuar e ndëshkuar për parakalim të gabuar 21 drejtues mjetesh me masë administrative 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj.
Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 5 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 12 masa administrative me vlerë deri 15.000 lekë të rinj për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit.
Discussion about this post