Kjo nuk është drejtësi, ky është mallkim. Ky është mallkimi më i madh për shqiptarët e Shqipërisë që, edhe nëse e kanë pasur një fije shprese se ky vend do të bëhet, tani iu është shuar përgjithmonë.
Skandali i inceneratorëve mund të ketë qenë çështja e vetme e madhe, në të cilën shqiptarët shpresonin se drejtësia do të funksiononte. I ngritur me yrysh dhe ‘tam-tame’, i prezantuar si e ardhmja e drejtësisë, si shpresa për fëmijët tanë që Shqipëria do të bëhej një vend më i mirë, SPAK, në fillimet e veta ishte institucioni i munguar, ai që do të kapte krimin dhe korrupsionin nga brirët për t’i treguar vendin.
Por ja ku përfunduam…
Edhe pse këmbana e drejtësisë që, as ka plan të funksionojë, ka kohë që bie, sërish për skandale të tilla të mëdha si ai i inceneratorëve, shpresa ishte që diçka të lëvizte. Por jo! Ajo që u paralajmërua për ata që kanë dy para mend e sy për të parë, ndodhi. Dje SPAK doli me njoftimin se e kishte mbyllur hetimin e inceneratorit të Elbasanit dhe, gjejeni pak: asnjë surprizë nuk ka. Asnjë ‘peshk i madh’ nuk ra në rrjetë me përjashtim të atyre që kanë hyrë e dalë nga burgu, një ish-ministër që dukshëm ka bërë marrëveshje me qeverinë për t’u bërë kurban dhe një “pronar”, Klodian Zoto, që vazhdon të marrë para nga qeveria shqiptare.
Për ta shpjeguar më qartë po ndajmë vetëm dy pika nga njoftimi i djeshëm i SPAK:
“Ndërkohë, për pretendime të tjera të paraqitura nga kallëzuesit në këtë proçedim penal dhe për fakte dhe episode të tjera që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë proçedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake. Konkretisht, është vendosur ndarja e çështjes penale për këto rrethana:
– Rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin në proçedurën e kalimit per miratim në Këshillin e Ministrave të projekt vendimit të propozuar nga Ministria e Mjedisit mbi bazën e të cilit është miratuar më pas V.K.M nr.907, datë 17.12.2014 që ka miratuar sigurimin e financimit të nevojshem të kontratës së konçensionit;
– Rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se funksionarët e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin kanë kthyer përgjigje pozitive ndaj Ministrisë së Mjedisit lidhur me zbatimin e proçedurës “negocim pa shpallje”, duke përfshirë edhe provat dhe dokumentet që janë gjetur dhe janë nxjerrë nga kompjuterat e sekuestruara në banesën e të pandehurit Klodian Zoto”.
E dini si përkthehen në shqip këto dy paragrafë?
Që Engjëll Agaçi që ka dhënë urdhër dhe futur me procedurë të përshpejtuar vendimin e Ministrisë së Mjedisit për sigurimin e financimit të kontratës së konçensionit, nuk mban asnjë pikë përgjegjësie. Aq më pak njerëzit e tjerë afër Edi Ramës që e mundësuan këtë. SPAK po mundohet të na mbushë mendjen që Lefter Koka i hëngri vetëm 308.210.941 lek (afro 3 milion euro) që sipas njoftimit të SPAK përbëjnë një “përfitim material të parregullt për ish-Ministrin, marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” shpk në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncensionit dhe lidhjes së kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.
Kjo përkthehet gjithashtu se Damian Gjinkuri do ia hedhë pa lagur për kontratën e errët të energjisë që ka lidhur me këtë rast …
Kjo puna e SPAK vjen fiks sipas llogjikës që Edi Rama përdor zakonisht kur e zënë në grackë për megakorrupsione të kësaj kategorie: Ku di unë se ç’a bëjnë të tjerët!
Kjo pra na qenka drejtësia e re! Ky na qenka SPAK-u i famshëm që do të na ndriçojë dritën e drejtësisë! Kjo na qena skuadra e famshme e prokurorëve të “pastër” që bëjnë hatanë për një 10 mijë leksh të dhënë në Morinë për kalimin e kufirit ama mbyllin sytë kur flitet për miliardat e vjedhura nga qeveritarët.
Kjo nuk është drejtësi, ky është mallkim. Ky është mallkimi më i madh për shqiptarët e Shqipërisë që, edhe nëse e kanë pasur një fije shprese se ky vend do të bëhet, tani iu është shuar përgjithmonë. Nëse për skandale të kalibrit të inceneratorëve SPAK u soll kështu, imagjinoni sa drejtësi është në gjendje të vihet për dosje pak më shumë “delikate” në hetim./Pamfleti
Discussion about this post