Aldo Rama, 21-vjeçari që vrau efektivin e policisë duhet të ishte nën masën “arrest shtëpie”, thotë gazetari Artan Hoxha.
Në një intervistë për “ABC News”, Hoxha tregoi se si ndodhi ngjarja e rëndë, me detajet që dihen deri tani. Hoxha tha se kur u ndaluan nga policia, dy shokët e Aldo Ramës iu bindën urdhrit, ndërsa ai qëlloi pa paralajmërim drejt efektivit të policisë 44-vjeçarit Saimir Hoxha.
Pjesë nga deklarata e gazetarit Artan Hoxha:
Policia e Lezhës kishte prej ditësh informacion, dhe sot në mëngjes ky grup kishte shkuar të asgjësonte një parcelë me 110 rrënjë. Ka qenë një operacion për të goditur parcelat me kanabis. Unë para katër vitesh aty kam hyrë me një gazetar të BBC, por nuk gjetëm parcelë aty, gjetëm një hambar ku hashashi pastrohej dhe bëhej gati.
Në rastin konkret policia e Lezhës e kishte realizuar detyrën e vet. Gjeti parcelën, toka aty nuk është e përshtatshme për kanabis. Ata e mbjellin në vazo dhe ajo bëhet aty. Sasia nuk ka qenë e madhe. Policia sot nuk arrestoi njeri në lidhje me parcelën. Gjatë kthimit, ata kanë vënë re një makinë, dhe kanë dyshuar te makina. Dyshuan mos është makinë e vjedhur. Në këto kushte, teksa ishte në kthim, është përplasur përballë me makinën, policia kriminale është civile, ka kërkuar të bëjë verifikim.
Në vendin e drejtuesit të mjetit dhe të pasagjerit kanë qenë dy persona ë kanë zbritur nga makina dhe i janë përgjigjur urdhrit. Në pjesën e pasme ka qenë Aldo Rama që ka qëlluar pa paralajmërim dhe plaga ka qenë vdekjeprurrëse. Ky personazh ka dalë në 6 maj të këtij viti në arrest shtëpie, duhet të ishte aty. Ishte i armatosur. Kini parasysh moshën dhe begraundin e tij. Në këto kushte ai ka parë policinë, mundësi për të ikur nuk ka pasur.
Ndërsa ka ikur nga vendi i ngjarjes ai, punonjësit kanë kërkuar ndihmë për kolegun që ishte akoma në jetë dhe kanë bërë ndalimin e dy personave të tjerë. Dy helikopterë u nisën menjëherë nga Tirana.
Autori ka zbritur nga mjeti, policia ka bërë mbylljen dhe për fatin e policisë ai nuk ka arritur të ecë shumë më tej për shkak të kanaleve me ujë. Një polic që ka qenë në trafik ka thënë pastaj se e ka parë duke ikur në pyje. Kur është parë aty, e ka pikasur edhe një snajperist i RENEA.
Discussion about this post